Si u sollën në Kosovë operimet laserike që nuk ekzistonin askund në rajon

Në zemër të Prishtinës, në vitin 2005, u hap një klinikë që shumë shpejt do ta ndryshonte përgjithmonë mënyrën se si trajtoheshin sytë në Kosovë. Klinika Gjermane e Syrit, e themeluar nga një grup mjekësh kosovarë dhe gjermanë, solli në vend teknologji që deri atëherë dukej e paarritshme – në një kohë kur trajtimet e avancuara kërkonin udhëtime të shtrenjta jashtë vendit, shkruan Gazeta Infokus.

Dr. Afrim Shabani, themelues i kësaj klinike, ka kujtuar momentet e fillimit si një hap jashtëzakonisht të guximshëm.

“Kemi filluar punën në qershor të vitit 2005. Ideja ishte të sillnim diçka krejt të re. Askush nuk e mendonte se vetëm pesë vite pas luftës do të realizoheshin operime laserike në Kosovë,” thotë ai, duke theksuar se hapja e klinikës ua hapi derën pacientëve që nuk kishin më mundësi të udhëtonin jashtë.

Në vitet e para, sfidat ishin të mëdha. Aparaturat ishin të reja, trajnimet intensive dhe numri i pacientëve shumë i lartë. Shumë prej tyre vinin me probleme të rënda, të patrajtuara me vite për shkak të mungesës së mundësive të dikurshme.

“Pacienti nuk duhet të dalë pa diagnozë. Këtë filozofi e kemi pasur gjithmonë,” shprehet Dr. Shabani, duke theksuar se qasja e klinikës dallonte nga çdo institucion tjetër në atë kohë.

Me kohë, u krijua një staf i përkushtuar që e ngriti nivelin e shërbimit në një standard krejt tjetër. Recepsioni u bë pika e parë e kontaktit dhe një element kyç i përvojës së pacientit, duke krijuar ambient të sigurt dhe profesional.

“Vetëm mënyra se si pritet pacienti, si regjistrohet dhe si bëhen matjet, e bën dallimin. Ka një lidhshmëri shumë të mirë mes stafit dhe mjekëve,” tregon Dr. Shabani, duke shtuar se mjekët diskutojnë së bashku çdo rast të veçantë për të siguruar diagnozë dhe trajtim të saktë.

Kjo kulturë bashkëpunimi, e kombinuar me teknologjinë e kohës, bëri që Klinika Gjermane e Syrit të shndërrohej në një prej institucioneve më të rëndësishme të mjekësisë në vend, aty ku qindra pacientë gjetën dritën dhe sigurinë që u kishte munguar.

Ndryshe, sot klinika vazhdon të jetë një pikë kyçe referimi për trajtimet më të avancuara të syrit në Kosovë — dhe vendi ku shumë histori shprese vazhdojnë të fillojnë, çdo ditë./Gazeta Infokus/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë