“Ka qenë, është dhe mbetet PDK”: Mesazhi i Bedri Hamzës lë pa reagim dy sfiduesit e Lladrovcit
Deklarata e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, se Ramiz Lladrovci ka qenë, është dhe do të mbetet pjesë e PDK-së, si dhe se Drenasi mbetet komuna e shtatë e bastionit të partisë, ka prodhuar reagime të shumta pozitive brenda PDK-së, por jo nga të gjithë.
Ish-kandidati zyrtar i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, dhe bartësi i listës së asamblistëve, Driton Ajazi, ende nuk kanë komentuar qëndrimin e Hamzës. Të dy figurat, që vetëm para pak javësh garuan kundër Lladrovcit me përkrahjen e ish-kryetarit Memli Krasniqi, nuk kanë bërë asnjë postim lidhur me zhvillimet e fundit.
Ndërkohë, disa nga anëtarët e degës së PDK-së në Drenas e kanë mirëpritur hapur deklaratën e kryetarit Hamza, duke e ia bërë like postimim me Lladrovcin, por dyshja Hajdari–Ajazi vazhdon të mbetet në heshtje.
Interesant mbetet fakti se postimi i fundit i të dyve në rrjetet sociale është ende ai nga Konventa e PDK-së më 17 nëntor, ku ata u fotografuan me kryetarin e ri të partisë, Bedri Hamza. Që prej asaj dite, nuk ka asnjë reagim të ri, as për unitetin e shpallur nga Hamza, as për rikthimin e Lladrovcit në qendër të skenës politike të degës.
Rikujtojmë se, në zgjedhjet e fundit lokale, Hajdari dhe Ajazi kishin marrë miratimin e ish-kryetarit Memli Krasniqi për të sfiduar Ramiz Lladrovcin në Drenas — garë e cila përfundoi me fitore bindëse të Lladrovcit pa balotazh në bastionin e PDK-së.


