Albin Kurti me mesazh ngushëllimi për vdekjen e Behar Topillës, të mbijetuarit të vetëm të masakrës së Shavarinave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me një mesazh të thellë pikëllimi pas lajmit për vdekjen e Behar Topillës, të vetmit të mbijetuar të masakrës së Shavarinave në Çikatovë të Vjetër të Drenasit. Topilla ka ndërruar jetë në moshën 45-vjeçare, në Suedi, ku jetonte vitet e fundit.

Kurti kujtoi se Behari, 26 vite më parë, kishte shpëtuar mrekullisht nga pushkatimi masiv i kryer nga forcat serbe më 1 prill 1999. Ai ishte një nga 176 civilët e marrë nga xhamia e Qirezit, të torturuar dhe të rreshtuar për ekzekutim pranë gropës së Shavarinave, afër minierës së Feronikelit. Edhe pse i plagosur me thikë në duar e krahë, Topilla arriti t’u shpëtonte plumbave dhe shpërthimeve duke u fshehur nën trupat e mbi 40 të vrarëve.

Kryeministri theksoi se rrëfimi i Behar Topillës është ndër dëshmitë më të fuqishme të masakrave dhe gjenocidit të kryer nga forcat serbe gjatë spastrimit etnik të vitit 1999.

“Thellësisht pikëlluese të kuptoj që ka vdekur Behar Topilla… Ngushëllime familjes Topilla, miqve të Beharit dhe të gjithë atyre që e kanë njohur. U kujtoftë gjithmonë bashkë me historinë dhe rrëfimet e tij,” ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Vdekja e Behar Topillës është një humbje e madhe për familjen, komunitetin dhe kujtesën historike të Kosovës.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë