Bedri Hamza: Iniciativa Qytetare “Demokracia” i bashkohet Partisë Demokratike të Kosovës
Partisë Demokratike të Kosovës sot zyrtarisht i është bashkuar Iniciativa Qytetare “Demokracia”, e udhëhequr nga ish-deputeti Shkumbin Demaliaj. Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili e ka vlerësuar këtë hap si një forcim të rëndësishëm për partinë dhe për jetën demokratike të vendit.
“Shkrirja e kësaj iniciative qytetare në PDK është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të përbashkët për forcimin e vlerave demokratike dhe angazhimin qytetar,” ka deklaruar Hamza.
Kryetari i PDK-së ka theksuar se bashkëpunimi me Iniciativën “Demokracia” përbën një shtesë të vlefshme në mobilizimin dhe zgjerimin e bazës qytetare të partisë.
“Vazhdojmë përpara me përkushtim dhe bashkëpunim për një Kosovë më të mirë!” ka shtuar ai.
Me këtë bashkim, PDK synon të vazhdojë zgjerimin dhe konsolidimin e saj në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.


