“Mjegulla në Drenas nuk po largohet”: Lladrovci kërkon ndryshim qasjeje dhe unitet të vërtetë në PDK, ndryshe nuk fitohet
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar sërish lidhur me zhvillimet e fundit brenda PDK-së, duke theksuar se “uniteti është kusht i fitores” dhe se pa të, partia nuk mund të rikthejë fuqinë e saj politike.
Ai tha se, pavarësisht deklarimeve të tij të qarta, mjegulla politike rreth Drenasit vazhdon të mos largohet, ndërsa disa eksponentë po e paraqesin disfatën si fitore. Lladrovci kritikoi ashpër “ligjëratat koti” dhe përpjekjet për të barazuar shkakun me pasojën, duke theksuar se kjo qasje nuk i shërben as degës e as partisë.
Sipas tij, uniteti nënkupton përkushtim ndaj qëllimeve më të larta se fatet individuale apo lokale dhe është parakusht për të ndryshuar gjendjen e përgjithshme të Kosovës. Ai shtoi se PDK ka nevojë për ridefinim të metodave të veprimit politik dhe organizativ, duke përdorur “gjuhën e fitimtarëve me vizion, pa kushte dhe pa hile”.
Lladrovci theksoi gjithashtu se partia duhet të çlirohet nga shkurtpamësia politike dhe nga ata që i quajti “keqbërës e bedelë politikë”, të cilët sipas tij po dëmtojnë imazhin e një partie të krijuar nga heronjtë e luftës dhe paqes, që përfaqëson breza të tërë me vlera atdhetare e euro-atlantike.

