Fondacioni i bursave “Leotrim Ahmeti” themelohet në Munich, Isak Neziri bën bashkë shqiptarë e gjerman
Biznesmeni dhe filantropi i njohur kosovar në Gjermani, Isak Neziri, ka zyrtarizuar sot në Mynih themelimin e Fondacionit “Leotrim Ahmeti”, në një ceremoni ku morën pjesë dhjetëra bashkatdhetarë nga mërgata, bashkëpunëtorë dhe donatorë gjermanë.
Fondacioni, që mban emrin e Leotrim Ahmetit, djaloshit 7-vjeçar të vrarë mizorisht gjatë luftës në Kosovë, synon që kujtimi i tij dhe i të gjithë fëmijëve të vrarë të kthehet në mbështetje konkrete për fëmijët, nxënësit dhe studentët e sotëm, duke krijuar mundësi më të mira për arsim dhe zhvillim.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Neziri u shpreh se ky moment vjen pas muajsh pune të përbashkët: “Sot u zyrtarizua themelimi i Fondacionit ‘Leotrim Ahmeti’ në Mynih, një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjithë ne që kemi punuar me muaj për ta sjellë në jetë këtë nismë. Falënderoj përzemërsisht bashkatdhetarët, miqtë gjermanë dhe të gjithë donatorët që na përkrahën me besim e pa hezitim.”
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për Bahri Ahmetin, vëllain e Leotrimit, dhe familjen Ahmeti, “që me forcë dhe dinjitet ndanë historinë e tij me ne, duke bërë të mundur lindjen e idesë për ta përjetësuar emrin e Leotrimit.”
Neziri falënderoi gjithashtu donatorët Clemens Baumgärtner, Albrim Jaha, si dhe Bahri Canin e Deli Balidemajn për mbështetjen e palëkundur.
Në fund, ai theksoi misionin e fondacionit: “Ky është fillimi i punës sonë, me qëllim që fëmijëve të Kosovës t’u sjellim më shumë dritë, më shumë mundësi dhe një të ardhme më të mirë.”
Fondacioni “Leotrim Ahmeti” do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë që përballen me vështirësi ekonomike, përmes bursave mujore, bursave meritore për studentë ekselentë, mbulimit të materialeve shkollore, pagesave për workshope e udhëtime studimore, ofrimit të mentorimit, si dhe mbështetjes për transport e ushqim në rastet e nevojës.










