Zyrtari policor Agim Cervadiku pensionohet pas një karriere të gjatë: “Ishte nder të shërbej”

Agim Cervadiku, një nga zyrtarët e respektuar të Policisë së Kosovës, ka njoftuar sot daljen e tij në pension pas shumë viteve shërbim në uniformë. Në një mesazh emocionues, ai ka reflektuar mbi rrugëtimin e tij profesional, duke e përshkruar policinë jo thjesht si punë, por si mision të jetës.

“Po i jap fund një kapitulli të madh të jetës sime. Nuk ka qenë vetëm punë — ka qenë përgjegjësi, sakrificë, krenari dhe shumë sfida që vetëm uniforma i kupton,” ka deklaruar Cervadiku.

Ai ka falënderuar kolegët që, sipas tij, u bënë familje e dytë, si dhe komandantët për udhëheqjen dhe mbështetjen e vazhdueshme. Cervadiku ka thënë se gjatë viteve ka përjetuar net pa gjumë, situata të rënda dhe vendime të vështira, të cilat e forcuan profesionalisht dhe njerëzisht.

“Sot, kur e dorëzoj uniformën, nuk e dorëzoj edhe dashurinë e respektin për vendin dhe njerëzit e mi. Ajo mbetet përjetë pjesë e imja,” ka shtuar ai, duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi.

Cervadiku e mbyll mesazhin me fjalët: “Ishte nder të shërbej. Tani nis një kapitull i ri, por gjithmonë me kokën lart.”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë