Ismail Dibrani: SHKK tashmë është institucion modern dhe plotësisht i harmonizuar me standardet ndërkombëtare
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka vlerësuar punën dhe progresin historik të këtij institucioni me rastin e shënimit të 26-vjetorit të themelimit të tij. Ai tha se është nder i veçantë të udhëheqë SHKK-në që nga prilli i vitit 2023, gjatë një periudhe ku janë shënuar avancime të mëdha në të gjitha fushat.
Sipas tij, rrugëtimi i SHKK-së nga një strukturë bazike drejt një institucioni modern, profesional dhe të standardeve të larta ndërkombëtare është rezultat i përkushtimit të stafit dhe investimeve të vazhdueshme.
Dibrani theksoi se gjatë tre viteve të fundit janë bërë përmirësime të mëdha në siguri, falë ngritjes së kapaciteteve profesionale të stafit, teknologjisë së re dhe menaxhimit proaktiv. Përveç kësaj, investimet në zhvillimin profesional të punonjësve kanë fuqizuar kulturën e profesionalizmit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Ai tha se sot SHKK-ja qëndron më e fortë dhe më e përgatitur se kurrë, duke u fokusuar në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria. Vetëm në tre vitet e fundit, mbi 1,800 të burgosur janë përfshirë në programe rehabilituese e psiko-sociale, ndërsa për herë të parë ka edhe lista pritjeje, gjë që sipas tij dëshmon besimin e shtuar në këto programe.
Ky angazhim është vlerësuar edhe ndërkombëtarisht. SHKK-ja është nderuar me Çmimin e Ekselencës nga Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve dhe është anëtarësuar në EuroPris, duke e vendosur Kosovën mes sistemeve më të avancuara korrektuese në Evropë.
Drejtori Dibrani ka falënderuar Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë, EULEX-in, Ambasadën e SHBA-së, Këshillin e Evropës, OSBE-në, UNICEF-in, Avokatin e Popullit, KMDLNJ-në, QKRMT-në dhe organizatat e tjera vendore e ndërkombëtare për mbështetjen e vazhdueshme. Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për stafin e SHKK-së dhe Departamentit Shëndetësor të Burgjeve për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre.
Në fund, Dibrani u bëri thirrje institucioneve dhe stafit të vazhdojnë ndërtimin e një sistemi korrektues ku dinjiteti njerëzor të jetë parim themelor, duke synuar suksese edhe më të mëdha në vitet e ardhshme.


