Identifikohet viktima e aksidentit tragjik në Zabel i Ulët të Drenasit (Video)

Është identifikuar viktima e aksidentit të rëndë që ndodhi mbrëmë në fshatin Zabel i Ulët të Drenasit, ku një veturë doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal me ujë. Burime për DrenicaOnline bëjnë të ditur se personi që humbi jetën është N.Tërnava, 70-vjeçare.

Aksidenti ndodhi rreth orës 22:40, kur drejtuesi i automjetit, dyshohet se për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, humbi kontrollin, duke shkaktuar daljen e veturës nga rruga dhe rrokullisjen në kanal.

Përveç të ndjerës, katër persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Zjarrfikësit e Drenasit kanë ndërhyrë menjëherë, duke u futur në ujë për të kontrolluar nëse kishte trupa të tjerë të bllokuar brenda ose rreth veturës.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i 70-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë