Dënohet me 6 vjet burgim i akuzuari për sulm e kanosje ndaj gjyqtarit në Drenas, Shefqet Baleci

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues me të cilin i akuzuari D.Z., është dënuar me dënim unik prej 6 vjet burgim për sulm dhe kanosje ndaj gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës në Drenas, Shefqet Baleci.

Aktgjykimi ndaj D.Z., u shpall të enjten nga gjyqtarja Valbona Përlaska, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas vendimit, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, i akuzuari u dënua me 5 vjet burgim, kurse për “Kanosje” me 2 vjet burgim. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik me 6 vjet burgim.

Në dënimin me burgim, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ai obligohet edhe për shpenzimet e procedurës penale- 20 euro për paushall gjyqësor dhe 20 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest juridiko-civil. Ndaj vendimit, lejohet ankesa në afat prej 30 ditësh.

Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit. D.Z l., shpalljen e përcjelli nga qendra e paraburgimit përmes video-lidhjes.

I akuzuari D.Z., në seancën e 17 nëntorit 2025, ka pranuar fajësinë për veprat penale që i viheshin në barrë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 tetor 2025, i akuzuari D.Z., ngarkohet se më 5 gusht 2025, në Drenas, në lidhje me detyrën zyrtare të palës së dëmtuar- Shefqet Baleci si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Drenas, për shkak te veprimeve të tij zyrtare në nxjerrjen e një aktgjykimi me të cilin i pandehuri është dënuar me gjashtë muaj me burg efektiv dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro, i pandehuri iu ka afruar palës së dëmtuar fillimisht duke iu drejtuar me fjalët “A e din çka um ke ba”, pastaj prej xhepit të djathtë e kishte nxjerrë një thikë, me të cilin e sulmon dhe kanoset se do ta sulmojë gjyqtarin Baleci, duke tentuar për ta goditur në trup, mirëpo në mes ndërhyri bashkëshortja e gjyqtarit, duke mos e lejuar ta godiste atë.

Me këto veprime, D.Z., akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par. 4 lidhur me par.2 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Z., në vazhdimësi më 27 dhjetor 2022, brenda Gjykatës në Drenas, në lidhje me detyrën zyrtare të gjyqtarit Baleci, për shkak të veprimeve zyrtare të këtij të fundit lidhur me nxjerrjen e një aktgjykimi me të cilin ishte dënuar me 6 muaj burgim efektiv dhe iu ka vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, i pandehuri ka hyrë në seancën e shqyrtimit fillestar, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, ju ka kanosur seriozisht gjyqtarit duke iu drejtuar me fjalët “Hajt se të kallxoj ty sa të dal nga burgu”, me çka të dëmtuarit i shkakton ndjenjën e frikës.

Në aktakuzë thuhet se në kohën, datën dhe vendin e njëjtë si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në lidhje me detyrën zyrtare të të dëmtuarit Shefqet Baleci, për shkak të aktgjykimit me të cilin është dënuar me 6 muaj burgim dhe 300 euro gjobë, ka kanosur gjyqtarin me fjalët “Hajt se masi je me gru nuk po të nguci se kur të nxa vetëm kam me ta hjek kryte”, me çka te dëmtuarit i shkakton ndjenjën e frikës.

Për këtë, Z., akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” në vazhdimësi nga neni 181, par. 3 lidhur me par.2 dhe lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë