Dalin pamjet nga aksidenti fatal afër Drenasit, zjarrfikësi i futur në ujë duke kërkuar trupa nga vetura e rrokullisur (Video)

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmë në fshatin Zabel i Ulët të Drenasit, ku një grua ka humbur jetën, ndërsa katër persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore, raporton DrenicaOnline.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 20.11.2025, rreth orës 22:40, kur drejtuesi i një veture, dyshohet se për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke dalë jashtë rruge dhe përfunduar në një kanal me ujë.

Pas aksidentit, katër persona – tre femra dhe një mashkull – së bashku me drejtuesin e veturës, janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa njëra nga pasagjeret ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra.

Pamje të publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë momentet dramatike të kërkimit, ku zjarrfikësit e Drenasit janë futur në kanalin me ujë për të kontrolluar nëse kishte trupa të tjerë brenda ose rreth veturës së rrokullisur. Në një video shihet një zjarrfikës teksa kërkon me dritë nëpër ujë për të siguruar që askush tjetër nuk ka mbetur i bllokuar.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë