Ramiz Lladrovci kërkon përgjegjësi dhe platformë të qartë për drejtimin e ri të PDK-së

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas deklarimeve dhe urimeve që janë bërë gjatë dy ditëve të fundit nga drejtues qendrorë e lokalë të PDK-së, pas dorëheqjes së Memli Krasniqit. Ai thotë se megjithëse këto qëndrime janë miqësore dhe të mirëkuptueshme, përgjegjësia për gjendjen aktuale të partisë ende nuk po adresohet.

Sipas tij, duhet të flitet hapur për organizimin e brendshëm dhe strukturat që, siç thotë ai, kanë dështuar të bëjnë opozitë kundër një qeverisje që e cilëson “më të keqen që nga çlirimi”. Lladrovci shton se nuk përmendet fakti se PDK ka fituar në shtatë komuna, ndërkohë që pozita dhe opozita më e madhe në Drenas janë vetë PDK.

Ai thekson se vepra e tij jetësore është e lidhur ngushtë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe shumë atdhetarë të tjerë, ndaj ky fakt nuk duhet keqpërdorur në debatet e brendshme.

Lladrovci pret që kandidati për kryetar të PDK-së të dalë me një platformë të qartë dhe deklaratë politike, si dhe të prezantojë një kryesi të aftë për ta rikthyer partinë në pozita të forta dhe për të kundërshtuar degradimin e shtetit nga qeveria aktuale, siç pretendon ai.

Ai njofton se ndodhet jashtë vendit, por zhvillimet e Kuvendit të PDK-së ditën e hënë do t’i ndjekë me interes të madh, duke pritur përgjigjen për rrugën që do të marrë partia.

“Në fund, PDK është vetë liria dhe shteti i Kosovës”, përmbyll reagimin e tij Lladrovci.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë