Bedri Hamza zyrtarizon kandidaturën për Kryetar të PDK-së

Bedri Hamza ka shpallur sot zyrtarisht kandidaturën e tij për të parin e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai tha se vendimi vjen me përgjegjësi dhe me besim të plotë në të ardhmen e PDK-së, duke theksuar nevojën për reformim, unifikim dhe rikthim të partisë si forcë kryesore politike në vend.

Hamza u ndal edhe te roli i PDK-së në historinë e shtetit, nga lufta për liri e deri te fazat e shtetndërtimit, demokratizimit dhe integrimit, duke theksuar se partia ka lënë “gjurmë të pashlyeshme” në Kosovë.

Ai shprehu mirënjohje për themeluesit Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, duke uruar që së shpejti të jenë përsëri mes strukturave të partisë. Po ashtu falënderoi ish-kryetarët Enver Hoxhaj dhe Memli Krasniqi për udhëheqjen e tyre në periudha sfiduese.

“Ka ardhur koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane”, deklaroi Hamza, duke shtuar se partia është “familja jonë” dhe se së bashku do të hapin një kapitull të ri fitoreje.

Në fund, ai falënderoi të gjithë anëtarët dhe përkrahësit për besimin dhe mbështetjen.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë