Pas dorëheqjes së Memli Krasniqit, reagon Petrit Hajdari: “Ke ditur të përbashkosh dhe të frymëzosh”

Petrit Hajdari, ish-kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Drenasit, ka reaguar pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga posti i kryetarit të PDK-së.

Në një postim të gjatë, Hajdari e ka cilësuar këtë veprim si dëshmi të karakterit dhe ndershmërisë politike të Krasniqit.

“I dashur miku im Memli Krasniqi, dorëheqja jote sot është konfirmim i karakterit për të cilin të njihnim të gjithë. Karakterit që përbashkon, frymëzon e udhëheq drejt ditëve të mira për këtë vend. Idealin e pashoq nuk mund të ta kontestojë askush. Aftësia për të udhëhequr, sikur edhe aftësia për të lëshuar udhë, janë esencë e demokracisë”, ka shkruar Hajdari.

Ai kujtoi periudhën e përbashkët me Krasniqin në Rininë Demokratike, duke theksuar se kanë punuar për ta forcuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe për ta udhëhequr vendin me idealet e saj.

“Kemi qenë bashkë aktivistë të Rinisë Demokratike dhe kemi luftuar gjithmonë që idealet e mira të PDK-së ta udhëheqin Republikën e Kosovës. Nga ky rrugëtim më mbetet shumë mirënjohje e falënderim për ty”, ka shtuar ai.

Në fund, Hajdari falënderoi Krasniqin për lidershipin e tij dhe i uroi suksese në rrugëtimin e mëtejmë: “Faleminderit shumë për rrugëtimin e përbashkët e udhëheqjen model. Rritja e PDK-së në zgjedhje reflekton udhëheqjen tënde të drejtë e parimore. Faleminderit shumë dhe shumë fat në vazhdim për ty dhe PDK-në.”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë