Abelard Tahiri pas dorëheqjes së Memli Krasniqit: Faleminderit për çdo ditë pune dhe përkushtim për Kosovën dhe PDK-në

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pas dorëheqjes së kryetarit Memli Krasniqi, duke e vlerësuar lart periudhën e tij në krye të partisë dhe kontributin e tij në skenën politike të vendit.

Tahiri kujtoi se Memli Krasniqi mori drejtimin e PDK-së në korrik të vitit 2021 dhe e udhëhoqi me përgjegjësi, urtësi e përkushtim në një periudhë të vështirë si për vendin, ashtu edhe për politikën kosovare.

“Gjatë kësaj kohe, PDK doli dy herë partia më e votuar në zgjedhjet lokale dhe arriti të rikthejë besimin e qytetarëve përmes një vizioni të qartë dhe një kulture të re politike. Në zgjedhjet parlamentare, me propozimin e Bedri Hamzës për kryeministër, Memli dëshmoi se politika mund të bëhet me seriozitet, qetësi dhe me plane të ndërtuara për të ardhmen”, ka shkruar Tahiri.

Deputeti nga PDK, i cili gjatë fushatës së fundit qëndroi gjatë në Drenas në mbështetje të kandidatit të partisë, Petrit Hajdari, i cili humbi pa balotazh ndaj Ramiz Lladrovcit, theksoi se kontributi i Krasniqit në forcimin e PDK-së dhe konsolidimin e opozitës do të mbetet pjesë e historisë politike të vendit.

Në fund, ai shprehu mirënjohje për ish-kryetarin e partisë: “Faleminderit, Memli Krasniqi, për çdo ditë pune, për çdo sfidë të përballuar me dinjitet dhe për çdo hap që e ke bërë për të mirën e Kosovës dhe të Partisë Demokratike të Kosovës.”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë