PZAP urdhëron rinumërim të votave për asamblistët në Drenas
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim që të urdhërojë rinumërimin e disa vendvotimeve në Komunën e Drenasit, pas ankesave të paraqitura nga kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Sipas vendimit të publikuar me numër ZL.Anr.422/2025, PZAP ka aprovuar si të bazuara ankesat e kandidatëve Besnik Fazliu, Fatmir Baliu, Murat Bylykbashi dhe Bekim Lestrani, duke konstatuar se ka pasur parregullsi në disa vendvotime gjatë procesit të numërimit të votave për Kuvend Komunal në Drenas.
Në vendimin e datës 10 nëntor 2025, PZAP urdhëron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve në një sërë vendvotimesh specifike, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve përfundimtare.
Kjo nënkupton se rezultatet përfundimtare për Asamblenë Komunale të Drenasit nuk do të jenë përfundimtare deri në përmbylljen e procesit të rinumërimit që do të zhvillohet nën mbikëqyrjen e KQZ-së.
Ky është një nga disa vendime të ngjashme të marra nga PZAP në lidhje me ankesat për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, ku janë kërkuar rinumërime në disa komuna të Kosovës.

