Labinot Halilaj përshëndet vendimin e PZAP-së për rinumërim votash në Drenas: “Nëse nuk jam më në Kuvend, largohem nga politika!”
Kandidati për Asamblenë Komunale të Drenasit nga lista “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, Labinot Halilaj, ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërimin e votave në këtë komunë.
Halilaj e ka cilësuar vendimin si të drejtë dhe të domosdoshëm për garantimin e transparencës dhe drejtësisë në procesin zgjedhor.
“E përshëndes vendimin e PZAP-së për rinumërimin e votave në Komunën e Drenasit. Ky është një hap i drejtë dhe i domosdoshëm për të garantuar transparencë dhe drejtësi në procesin zgjedhor”, ka shkruar ai.
Në një ton reflektues, Halilaj ka paralajmëruar se nëse pas rinumërimit nuk do të jetë më pjesë e Kuvendit Komunal, atëherë kjo do të jetë hera e fundit që ai merret me politikë.
“Nëse pas këtij rinumërimi nuk do të jem më pjesë e Kuvendit Komunal, kjo do të jetë hera e fundit që unë merrem me këtë ‘sport të kategorisë së lehtë’ që quhet politikë”, ka shtuar ai.
Ai gjithashtu ka përmendur sfidat e fushatës, duke iu referuar metaforikisht kundërshtarëve si “ushtri milingonash” dhe “karkaleca nga taborri ynë”, ndërsa ka falënderuar kryetarin **Ramiz Lladrovci** për qëndrimin e tij të drejtë dhe korrekt.
“Ndihem i nderuar nga qëndrimi i drejtë dhe pastërtia e z.Lladrovci, i cili edhe në këtë rast po dëshmon korrektësi dhe dinjitet politik. Andaj, kjo do të jetë beteja ime e fundit që do ta zhvilloj nga mbrojtja”, ka theksuar Halilaj.
Në fund, ai ka lënë të hapur garën, duke thënë se tani do të shihet se kush nga të dy taborët kishte të drejtë dhe kush do ta ngrejë “trofeun e fitores” në fund.


