Kryetari i Skenderajt kërkon nga Memli Krasniqi largimin e dy anëtarëve të PDK-së nga KQZ
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka kërkuar nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, që të largojë nga pozitat dy përfaqësuesit e PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pas situatës së djeshme në Mitrovicë dhe dyshimeve të ngritura për vjedhje votash nga VV në disa klasë dhe shkolla, çështje që po shqyrtohet nga prokuroria.
Nura tha se sjellja e tyre “ishte për keqardhje” dhe nuk mbrojtën “dinjitetin dhe qëndrimet politike dhe interesat” e PDK-së.
Postimi i plotë i Fadil Nurës:
“Anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ përfaqësojnë partinë në tërësi. Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në skenën politike të vendit, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të shumë anëtarëve tanë në mbrojtjen e votës së qytetarëve dhe të integritetit zgjedhor, vlerësojmë se sjellja e dy përfaqësuesve aktualë të PDK-së në KQZ ka qenë për keqardhje dhe në kundërshtim me interesat e partisë.
Në vend që të kontribuonin në mbrojtjen e qëndrimeve të PDK-së dhe të reagonin ndaj fyerjeve dhe sulmeve të përsëritura nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjet e KQZ-së, këta anëtarë kanë dështuar të mbrojnë dinjitetin dhe qëndrimet politike të partisë. Sjellje të tilla dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e PDK-së në një institucion të rëndësishëm si KQZ-ja.
Për këto arsye, kërkojmë nga Kryetari i PDK-së që të ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për t’i liruar nga detyra këta dy anëtarë të KQZ-së dhe për t’i zëvendësuar me përfaqësues të tjerë me integritet të lartë profesional e politik, të cilët do të mbrojnë me dinjitet interesat e PDK-së dhe votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës.”


