S’ka kohë për festë, partitë me gjasë do të kthehen shpejt të kërkojnë vota për zgjedhjet e reja parlamentare
Mbrëmë partitë festuan fitoret nëpër komunat e vendit, ku me gjasë shumë shpejt duhet të shkojnë sërish për të kërkuar vota, këtë herë për parlamentin.
Partitë pritën me shumë interes rezultatet në 18 komuna ku u votua dje në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
LDK-ja fitoi në pesë komuna, LVV-ja dhe AAK-ja në katër e PDK-ja në tre.
Pati edhe festë, por ajo s’do të mund të zgjasë shumë, pasi që shumë shpejt, me shumë gjasa partitë pritet të organizohen e të punojnë për një tjetër proces zgjedhor: zgjedhjet e reja parlamentare.
Glauk Konjufca, nënkryetari i LVV-së i cili është mandatuar nga presidentja për formimin e një qeverie të re, tha dje se nuk e di se sa ka gjasa që ai të bëhet kryeministër. Tha se nëse do të ketë qeveri të re apo zgjedhje të reja “në dorë e kanë partitë që ne po iu themi opozitare”.
Ai ka thënë të martën, kur u mandatua, se do të kërkojnë një qeveri afatshkurtër për shmangien e mbajtjes së dy palë zgjedhjeve dhe për ta votuar buxhetin. Këtë ekzekutiv, ka thënë se synojnë ta bëjnë pa koalicioni, por me “reflektim” të partive ish-opozitare.
PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma kanë thënë se nuk do ta votojnë një qeveri të re dhe kanë përmendur zgjedhjet e reja si të vetmen rrugë përpara.
Kurti ka deklaruar në një konferencë për media të martën se nuk sheh “kurrfarë mundësie, as teorike më”, për koalicion me ndonjë parti për qeverinë e re.
Megjithatë, LVV arriti ta bindte Vjosa Osmanin që ta mandatonte Konjufcën për ta provuar këtë. Presidentja tha se u bind se “ka gjasa” që kjo të bëhet.
Pasi dështoi ta krijonte një shumicë të re parlamentare që do ta zgjidhte qeverinë e re më 26 tetor, Albin Kurti të nesërmen kishte folur me keqardhje për mossuksesin e tentimeve të tij, të cilat thoshte se ishin të “disahershme” dhe “shteruese”. Me Nismën tha se ishin “në kontakt të vazhdueshëm”.
Por sipas Fatmir Limajt, në dy muaj, ata u takuan vetëm një herë, për dhjetë minuta, edhe atë të dielën, pas kohës kur duhej të niste seanca e jashtëzakonshme për votimin e qeverisë së re. Ndërkaq ka qenë fundi i prillit kur Kurti ia ka dërguar ftesën e dytë dhe të fundit LDK-së për koalicion.


