Memli Krasniqi: Ky rezultat nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri për PDK-në
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke e cilësuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve si një dëshmi të fuqisë dhe qëndrueshmërisë së PDK-së në skenën politike të vendit.
“Me 187,526 vota, PDK u konfirmua si partia më e votuar në Kosovë. Me 206 asamblistë të zgjedhur, mbetëm forca me përfaqësimin më të gjerë lokal në vend. Dhe me gjashtë komuna të fituara – Ferizaj, Prizren, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik dhe Han i Elezit – PDK dëshmoi se suksesi ndërtohet mbi punë me rezultate dhe përfaqësim me dinjitet”, ka theksuar Krasniqi.
Ai shtoi se në katër prej ballafaqimeve direkte me pushtetin qëndror, partia e tij fitoi tri, duke nënvizuar se për PDK-në, çdo përpjekje e ndershme është fitore në vetvete.
“PDK nuk e mat suksesin vetëm me numra, por me qëndresën, qetësinë dhe përgjegjësinë me të cilat e përfaqëson qytetarin në çdo rrethanë,” – theksoi ai, duke falënderuar të gjithë kandidatët, aktivistët, vullnetarët dhe mbështetësit e partisë për angazhimin e tyre gjatë fushatës.
Në veçanti, ai përmendi Arian Tahirin në Mitrovicë, të cilin e quajti “yllin e kësaj fushate”, duke e lavdëruar për një garë dinjitoze e të ngushtë përballë “tërë aparatit shtetëror”.
Krasniqi nënvizoi se ky rezultat është vetëm një fillim i ri për PDK-në: “Ky rezultat nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri — kapitulli i bashkimit, rigrupimit dhe përgatitjes për fitoret e ardhshme.”
Në fund, ai u shpreh se PDK qëndron më e bashkuar, më e pjekur dhe më e përgatitur se kurrë:
“PDK nuk ndalet. Sepse PDK është e qytetarëve. PDK është e Kosovës. Dhe me PDK-në, ditët më të mira janë përpara vendit tonë!”
#PDK #MemliKrasniqi #Zgjedhjet2025 #Kosova


