Ka nisur dokumentimi i kujtesës së Masakrës së Poklekut – thirrje për rrëfime dhe dëshmi nga të mbijetuarit
Ka nisur puna në terren për dokumentimin e kujtesës së Masakrës së Poklekut, një nga ngjarjet më të rënda të luftës së fundit në Kosovë. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Kujtesa e masakrave në Kosovë: dokumentimi i kujtesës së të mbijetuarve të masakrave gjatë luftës së viteve 1998–1999”.
Projekti po realizohet nga Instituti i Antropologjisë (IAUP) dhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), me mbështetjen edhe të Komunës së Drenasit.
Ekipi hulumtues ka filluar takimet dhe bisedat me të mbijetuarit dhe dëshmitarët e Masakrës së Poklekut, me qëllim që të dokumentohen kujtimet dhe dëshmitë e tyre për këtë ngjarje tragjike.
Të gjithë personat që kanë çfarë të rrëfejnë apo posedojnë dëshmi që lidhen me këtë masakër, mund të kontaktojnë me përfaqësuesin lokal Fadil Muqolli ose me kryetarin e fshatit Poklek i Vjetër, Zekë Kluna, për t’u bashkuar me ekipet hulumtuese.
Organizatorët kanë bërë thirrje për bashkëpunim, duke theksuar se çdo rrëfim ka vlerë të madhe për ndriçimin e së vërtetës historike dhe për ruajtjen e kujtesës kolektive mbi krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës.
“Secili rrëfim e ka rëndësinë e vet, prandaj ju lusim dhe inkurajojmë që të jepni rrëfimin tuaj, në mënyrë që të mblidhen sa më shumë fakte lidhur me Masakrën e Poklekut”, thuhet në njoftimin e Fadil Muqollit.


