Wesley Clark, dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit
Me paraqitjen e gjeneralit ikonik Wesley Clark pritet të përmbyllen dëshmitë. Më pas nis numërimi mbrapsht drejt ditës kur do të shpallet edhe vendimi – për të cilin pritjet janë që të jepet në pranverën e vitit të ardhshëm.
Me dëshminë e Wesley Clark, që pritet të fillojë më 18 nëntor pasdite dhe me gjasë të përfundojë më 21 nëntor, përfundojnë edhe dëshmitarët e mbrojtjes së Hashim Thaçit.
Në një paraqitje të rregullt për media, Gjykata Speciale ka njoftuar se me Clarkun përfundojnë dëshmitarët e prezantuar nga ish presidenti i Kosovës, shkruan “Vox Kosova”.
“Më 4 nëntor, trupi gjykues ka miratuar kërkesat e paraqitura nga mbrojtja e Thaçit në lidhje me javën pas së ardhshmes dhe dëshminë e Wesley Clark, i cili është dëshmitari i fundit që mbrojtja e Thaçit planifikon të thërrasë. Mbrojtja e Thaçit deri tani ka ftuar katër dëshmitarë dhe, sipas paraqitjeve aktuale publike, synon të ftojë edhe tre dëshmitarë të tjerë si pjesë e çështjes së saj”.
“Pasi është informuar se dëshmia e tij mund të nisë vetëm pasditen e 18 nëntorit dhe pas shqyrtimit të vlerësimeve të kohës nga palët, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtjes për të rezervuar një ditë shtesë seance më 21 nëntor, në mënyrë që të përfundojë dëshmia”, ka thënë Michael Doyle, zëdhënës i Gjykatës Speciale.
Me paraqitjen e gjeneralit ikonik Wesley Clark pritet të përmbyllen dëshmitë. Më pas nis numërimi mbrapsht drejt ditës kur do të shpallet edhe vendimi – për të cilin pritjet janë që të jepet në pranverën e vitit të ardhshëm.
Para Clarkut, do të jenë edhe dy të tjerë që do të dëgjohen nga 10 nëntorit. I pari paraqitet prej orës 14:00, të hënën.
Deri më tani kanë dëshmuar 4 dëshmitarë, të gjithë këta ndërkombëtarë. I pari që dëshmoi ishte ish-ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin.
Pas tij, dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. I treti ishte John Duncan, ish-këshilltar i Clark-ut dhe i katërti ishte Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001.
Nga mbrojtjet e tjera, nuk është bërë e ditur nëse do të ketë dëshmitarë të thirrur.


