Si erdhi deri te vrasja e dy vëllezërve në Golluboc, Prokuroria tregon rastin me detaje

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit Astrit Isufi, i dyshuar për vrasjen e dyfishtë në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës.

Sipas njoftimit, Prokuroria ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit, i cili akuzohet se më 6 nëntor 2025, rreth orës 11:25, ka privuar nga jeta dy vëllezërit D.M. dhe N.M., që të dy nga i njëjti fshat.

Sipas hetimeve fillestare, i pandehuri A.I., i cili është dhëndër i familjes së viktimave, kishte shkuar në shtëpinë e tyre për të marrë bashkëshorten I.M. dhe fëmijët e tij, të cilët po qëndronin tek familja e saj me rastin e varrimit të babait. Në këtë ceremoni ndodheshin edhe tani të ndjerët D.M. dhe N.M.

Gjatë largimit nga shtëpia, mes palëve ka ndodhur një fjalosje, e cila përfundoi tragjikisht. Në momentin që bashkëshortja e të pandehurit, I.M., po dilte nga oborri për t’u përshëndetur me nënën e saj, ajo e ka parë burrin e saj duke shtënë me armë zjarri – pistoletë të tipit TT – në drejtim të vëllait të saj D.M., e më pas edhe ndaj vëllait tjetër N.M.

Nga plagët e marra në pjesë vitale të trupit, viktimat kanë ndërruar jetë në vend. Të dy janë dërguar në QKMF Kijevë pa shenja jete. Pas krimit, i pandehuri ka hedhur armën dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar një ditë më vonë, më 7 nëntor 2025.

Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të pandehurit është ngritur dyshimi për kryerjen e veprave penale: “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.11 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.

I pandehuri, që nga data 7 nëntor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit ndodhet nën masën e ndalimit 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë