Ramiz Lladrovci reagon pas komenteve për takimin me Albulena Haxhiun: “Nuk ishte drekë tradhtie, por takim i zakonshëm në publik”
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas ‘zhurmës’ që u krijua në rrjete sociale lidhur me një drekë publike në Blinajë, ku ai shihej bashkë me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Në reagimin e tij, Lladrovci ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet, duke e cilësuar takimin si të zakonshëm dhe pa asnjë prapavijë politike.
“Miq e dashamirë, nuk ishte drekë tradhtie e as e sajuar në Blinajë sipas menysë së qindra komentuesve apo ndonjë gazetari. Ndjej keqardhje për nivelin e pikëvështrimeve dhe konspiracionet e paqena të lidhura me të,” – ka shkruar ai.
Lladrovci ka thënë se e sheh të kotë debatin me “patriotët e vonuar dhe mercenarët”, duke nënvizuar se PDK mbetet e pathyeshme dhe e fortë në parime.
“Të kotë e shoh debatin me patriotët e vonuar, belaxhitë, mercenarët e puthadorët. Bedelët dhe keqbërësit me kurriz pres të thehen, jo PDK,” – ka theksuar ai.
Në fund të reagimit, kryetari i Drenasit ka shtuar me ironi:
“Komentues laramanë, pema njihet nga frutat, pini ujë dhe mos u bëj keqdashës!”
Ky reagim vjen pas disa statusesh e komentesh në rrjete sociale, sidomos nga gazetari Lirim Mehmetaj, i cili kishte komentuar disa herë për këtë drekë, duke e cilësuar si të pazakonshme.
Lladrovci ndërkohë ka sqaruar se takimi ka qenë publik, në një lokal të mbushur me mysafirë, dhe nuk kishte asgjë të fshehtë apo politike në të.


