Lladrovci: Mungesa e ujit po shkakton shqetësime në Drenas, komuna ofron furnizim me autobote
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas ankesave të shumta të qytetarëve lidhur me mungesën e ujit të pijshëm, që prej disa ditësh po shkakton shqetësime në tërë komunën.
“Qindra mesazhe të qytetarëve, ankesat dhe kërkesat për të siguruar ujin e pijes, është realiteti i kësaj jave”, ka thënë Lladrovci, duke theksuar se edhe pse Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike po punojnë me përkushtim të plotë, ende nuk është arritur stabilizimi i plotë i furnizimit me ujë.
Sipas tij, furnizimi me ujë është përgjegjësi e KUR “Prishtina”, por Komuna e Drenasit ka ofruar tërë mbështetjen e saj për të tejkaluar këtë situatë.
“Me autobote kemi ofruar furnizim me ujë në disa institucione dhe zona të prekura më gjatë nga mungesa e ujit”, ka shtuar kryetari Lladrovci.
Ai ka theksuar se shqetësimi i qytetarëve është plotësisht i kuptueshëm dhe se institucionet lokale po bëjnë gjithçka që është e mundur për të rikthyer furnizimin e rregullt sa më shpejtë.
“Shqetësimi i qytetarëve për mungesën e ujit është shqetësim tepër i arsyeshëm për Komunën. Ne kemi bërë krejt çka është në dorën tonë që sa më shpejtë të ofrohet furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e komunës së Drenasit – fundja, uji është jetë!”, ka përfunduar Lladrovci.


