LAJM I FUNDIT: Arrestohet Astrit Isufi, i dyshuari për vrasjen e dy vëllerzëve
Burimet e IndeksOnline brenda policisë kanë konfirmuar se sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës ka arrestuar Astrit Isufin nga Sankoci i Drenasit, i dyshuari kryesor për vrasjen e dyfishtë që ndodhi të enjten në fshatin Gollubovc të Malishevës, ku mbetën të vrarë dy vëllezërit Naim dhe Driton Morina.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 nëntor, rreth orës 11:30, kur sipas hetimeve fillestare, i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë bashkëshorten e tij, pas të pameve për babanë e saj të ndjerë.
Sipas burimeve të Klan Kosovës, pas një debati, Isufi ishte larguar për disa minuta, por më pas ishte rikthyer dhe kishte hapur zjarr, duke lënë të vdekur dy vëllezërit Morina – njëri në vendngjarje, ndërsa tjetri kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë.
Në momentin tragjik, në veturë ndodheshin gruaja e të dyshuarit (motra e viktimave) dhe vajza e tyre e mitur, të cilat dyshohet se kanë parë gjithë skenën e vrasjes.
Burimet kanë bërë të ditur gjithashtu se marrëdhëniet mes çiftit kishin qenë të tensionuara, dhe se viktimat i kishin kërkuar motrës së tyre të ndahej nga bashkëshorti, gjë që besohet të ketë shtyrë konfliktin fatal.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, kishte konfirmuar se rasti është regjistruar si vrasje e dyfishtë, ndërsa që nga dje janë ndërmarrë veprime intensive për kapjen e të dyshuarit.
Gjatë hetimeve, policia kishte gjetur një armë zjarri në vendin e ngjarjes dhe kishte bastisur një autosallon me emrin “Astriti” në rrugën Komoran–Carralevë, që dyshohej se ishte në pronësi të të dyshuarit.
Sipas të dhënave nga burimet policore, Astrit Isufi ishte i njohur për organet e rendit, pasi më herët ishte hetuar për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”, për të cilat kishte qëndruar disa muaj në paraburgim.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka konfirmuar se i dyshuari është arrestuar dhe ndodhet në ndalim policor, ndërsa hetimet po vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rrethanave të vrasjes së dyfishtë që tronditi opinionin publik.
Vërejtje:
Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


