Blerim Latifi: Fitorja e Lladrovcit është mesazh për gjithë PDK-në

Analisti politik, Blerim Latifi, ka komentuar zhvillimet më domethënëse të zgjedhjeve lokale të këtij viti, duke theksuar se tri ngjarje do të mbeten në memorien politike të Kosovës: debatet televizive për Prishtinën, fitorja e Ramiz Lladrovcit në Drenas dhe gara për kryetar të Mitrovicës.

Sipas Latifit, fitorja pa balotazh e Ramiz Lladrovcit në Drenas shënon një kthesë të rëndësishme politike për Partinë Demokratike të Kosovës.

statusi i plotë:

Tri ngjarje që do të mbesin në memorien e zgjedhjeve lokale të këtij viti

Janë tri ngjarje që do të shënojnë memorien politike të zgjedhjeve lokale të këtij viti: debatet televizive të kandidatëve për kryetar të Prishtinës, fitorja e Ramiz Lladrovcit në Drenas dhe gara për kryetar të Mitrovicës.

E para: debatet televizive të kandidatëve për Prishtinën kanë shpërfaqur një kulturë të lartë të ballafaqimit demokratik, diçka që në mënyrë kronike i mungon debatit politik në Kosovë. Avancimi i demokracisë sonë do të varet shumë nga aftësia për ta shtrirë këtë standard edhe në rrafshin e politikës nacionale.

E dyta: fitorja pa balotazh e Ramiz Lladrovcit në Drenas e ka thyer besimin pothuajse mitik të PDK-së se në Drenicë fitoret e saj janë të garantuara nga vetë logoja e partisë dhe nga dashuria e pakushtëzuar e drenicasve për të. Drenica vazhdon të jetë mbështetëse e fuqishme e PDK-së, por kohët e mbështetjes blanko duket se kanë kaluar.

E treta: gara për Mitrovicën është formalisht lokale, por në frymë thellësisht nacionale, sepse në të përplasen dy tregime: miti i Kurtit si “heroi i epope-së së veriut” dhe kritika e këtij miti nga opozitarët e tij. Nëse VV e humb këtë garë, kjo do të jetë një plagë e madhe politike për Kurtin, sepse Mitrovica nuk është vetëm një komunë, por një simbol i legjitimitetit të tij politik dhe i mitologjisë që e ka ndërtuar rreth figurës së vet si udhëheqës që “e çliroi veriun”. Një humbje aty do të përbënte jo vetëm rënie elektorale, por edhe një goditje simbolike ndaj vetë bazës mitike të pushtetit të tij.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë