Ramiz Lladrovci reagon pas ‘raportimeve’ për drekën me Albulena Haxhiun: “Do të vazhdoj të ha dreka si çdo qytetar i lirë!”
Gazetari L.Mehmetaj ka bërë tri statuse brenda një ore lidhur me një takim të kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ishte parë duke drekuar në një restorant afër Drenasit me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Takimi i zakonshëm, që sipas dëshmitarëve ka qenë në ambient publik dhe në prani të shumë vizitorëve, ka nxitur reagime të menjëhershme nga Mehmetaj, i cili pas debatit të fundit televiziv me Lladrovcin, ku sipas shumicës së shikuesve apo komentuesve “meqin” e fitoi kryetari i Drenasit, duket se e ka marrë personalisht përplasjen me të.
Në reagimin e tij publik, Ramiz Lladrovci është shprehur se e konsideron të tepruar këtë frymë denoncuese për një drekë miqësore:
“Në pikun e fushatës, nga e majta dhe e djathta, filluan komentet për një drekë në publik, në një lokal me plotë mysafirë, me mbesën e shokut tim të idealeve.
Mbaj mend gjatë dhe e di kush i ka thënë kujt kriminel, e di kujt ia dedikova fitoret, e di çfarë nuk dua, por, jetën normale nuk guxojmë ta bëjmë të padurueshme.
Po kalojnë vite dhe politika jonë po kërkon vetëm viktima, politikë të cilës nuk i intereson se ku është Kosova dhe e ardhmja e saj.
Kur një drekë e lidhur me temë personale nxit kaq reagime, merrni me mend sa do të nxiste reagim dreka e përbashkët e krerëve politik të Kosovës që do të donin të dilnin nga gjendja ku gjendemi.
Deficitet nuk shërohen me denoncime, do të vazhdoj të kem dreka, si çdo qytetar i lirë, në Kosovën e lirë!”


