Largimi kolektiv i qindra punëtorëve nga puna nga “NewCo Ferronikeli”, komuna e Drenasit del me njoftim

Ndërmarrja “NewCo Ferronikeli” ka marrë vendim për largimin e qindra punëtorëve nga puna.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur shqetësimin dhe solidaritetin e tij me punëtorët e “Ferronikelit”.

“Jemi në dijeni për vështirësitë e shfaqura në kompleksin industrial ‘Ferronikeli’ dhe ndalimin e prodhimit që nga tetori i vitit 2023. Fatkeqësisht, kompania nuk ka pasur alternativë tjetër përveçse të ndërmarrë këtë hap, në përputhje me Ligjin e Punës. Në emër të Komunës së Drenasit, shpreh keqardhje për situatën e krijuar dhe solidaritet të plotë me të gjithë punëtorët e prekur nga ky vendim. Uroj që kushtet e tregut të përmirësohen sa më parë, në mënyrë që të mundësohet rifillimi i prodhimit dhe ripunësimi i punëtorëve të larguar”

Lladrovci tha se shpreson që ky gjigant industrial të rifitojë vitalitetin e tij.

‘Ferronikeli’ ndër vite ka qenë një ndër kontribuuesit më të rëndësishëm në ekonominë e vendit dhe në rritjen e eksportit të Kosovës. Shpresojmë që ky gjigant industrial të rifitojë vitalitetin e tij dhe të vazhdojë të mbetet një shtyllë e fortë e zhvillimit ekonomik të Drenasit dhe Kosovës,” ka deklaruar Kryetari Ramiz Lladrovci.

Arsyeja kryesore, sipas kompanisë, është ndalja e gjatë e aktiviteteve prodhuese dhe kushteve të vështira të tregut që kompania thotë se vazhdojnë të ndikojnë në shitjet dhe fitimet.

“NewCo Ferronikeli Complex L.L.C. njofton se, për shkak të ndaljes së gjatë të aktiviteteve prodhuese dhe kushteve të vështira të tregut që vazhdojnë të ndikojnë shitjet dhe fitimet, kompania do të zbatojë një plan ristrukturimi të fuqisë punëtore si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të siguruar stabilitet financiar dhe operativ në plan afatgjatë”.

“Ky vendim vjen pas më shumë se dy viteve tejet të vështira për të mbajtur operacionet dhe për të ruajtur të gjitha vendet e punës që nga ndalimi i plotë i prodhimit në tetor 2023. Gjatë kësaj periudhe, kostot fikse operative, pagat dhe mirëmbajtja e kompleksit, janë financuar plotësisht nga kompania pronare”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë