Mandatimi i Konjufcës, Limaj: S’i votojmë këto agjenda partiake – s’kanë absolutisht asgjë në interes shtetëror
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se partia e tij nuk do ta mbështesë qeverinë e re të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje me mandatar Glauk Konjufcën, duke e cilësuar gjithë procesin si një manovër elektorale të Albin Kurtit.
Në një intervistë në “Rubikon”, Limaj tha se veprimet e fundit të VV-së janë pjesë e një kalkulimi politik të lidhur me balotazhin e së dielës dhe zhvillimet që do të pasojnë më pas.
“Duke hequr në njërën anë emrin e z. Konjufca, ju e patë qëndrimin e z. Kurti. Edhe tha kështu: ‘Po e bëj një mandatar me qëllim me i evituar dy palë zgjedhje’, a ishte kështu?”, tha Limaj në Rubikon të Klan Kosovës.
“Këta tre muaj po e çojmë Glaukun që mos me i pasë dy palë zgjedhje? A ishte kështu?”
“Që këtu fillon joserioziteti. Që këtu përfundon çdo gjë. Na ka treguar sot qartë”.
“Ne nuk i votojmë, këto agjenda partiake, elektorale, s’kanë absolutisht asgjë në interes shtetëror, që dikush me pauzu, me shku me u kthy. Nuk bohet shteti kshtu, bre djem.” – tha Limaj.


