Flet punëtori i “Ferronikelit”: Nga e premtja, 200 punëtorë do mbesim pa punë

Rreth 200 punëtorë të ndërmarrjes “Ferronikeli” pritet të mbesin pa punë, ndërkaq fati i njëjtë mund t’i presë edhe 600 të tjerë.

Kështu për Klankosova.tv ka thënë një punëtor i kësaj ndërmarrjeje, i cili në kushte anonimiteti tha se pritet që largimi i tyre të bëhet të premten.

“Që dy vjet prodhimi nuk ka punuar, kemi shkuar nga pesë ditë në muaj, na kanë dhënë nga 320 euro dhe tash kanë ardhur informacione që janë larguar nga puna rreth 200 punëtorë që kanë pasur nën 10 vjet stazh pune”, u shpreh ai.

Ky i punësuar në këtë ndërmarrje shtoi se u është thënë se do t’ua japin nga pesë rroga dhe do t’u ndërpriten kontratat që i kanë.

Me gjithë këto largime, punëtori në kushte anonimiteti tha se në ndërmarrje do të mbesin diku rreth 40 punëtorë.

“Ne i kemi kontratat e përgjithshme. Edhe neve pritet të na largojnë të premten, me na i dhënë 5 rroga shtesë edhe me ndërpre kontratën. Rreth 600 punëtorë. Në bazë të informacionit, kanë me mbetë 41 punëtorë”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Klankosova.tv ka siguruar një vendim të menaxhmentit të ndërmarrjes “NewCo Ferronikeli Complex”, për largimin nga puna të 358 punëtorëve.

Drejtori menaxhues e ka aprovuar këtë vendim për zbatimin e largimit kolektiv të këtyre të punësuarve, i cili ka hyrë në fuqi më 1 nëntor.

Në dokumentin e siguruar nga gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, thuhet se largimi i tyre është vendosur me qëllim që të mos thellohet kriza financiare. 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë