Jurgen Uldedaj kampion bote: E rrah keq Rolly Lambert dhe e fiton titullin IBO

Boksieri Jurgen Uldedaj e ka arritur atë që s’e kishte bërë askush, bëhet kampion bote pasi rrahu Rolly Lambertin për ta fituar titullin IBO në peshën “Cruiserweight”.

Që nga fillimi, Uldedaj mori kontrollin e ringut, duke e mbajtur gjithmonë iniciativën dhe duke goditur më saktë e më me vendosmëri. Ai kërkonte të shtynte ritmin e ndeshjes dhe të detyronte Lambert të reagonte, por kundërshtari i tij u tregua pasiv dhe i mbyllur gjatë gjithë duelit.

Pavarësisht disa tentativave sporadike të Lambert në raundet e mesme, ndeshja nuk ndryshoi drejtim. Uldedaj vazhdoi ta menaxhonte me qetësi, duke ruajtur presionin dhe duke grumbulluar pikë me goditje të sakta në trup dhe në fytyrë.

Publiku në “O2 Arena”, i cili përfshinte shumë tifozë shqiptarë, e mbështeti vazhdimisht Uldedajn, ndërsa pakënaqësia ndaj mungesës së intensitetit nga Lambert u ndje qartë në sallë.

Në fund, Uldedaj e mbylli ndeshjen në kontroll të plotë, duke e dominuar teknikisht dhe fizikisht kundërshtarin. Edhe pse dueli nuk ofroi emocione të mëdha, performanca e qëndrueshme i mjaftoi Uldedajt për të siguruar një fitore të pastër dhe për t’u shpallur kampion bote në versionin IBO për peshën “Cruiserweight”./Telegrafi/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë