Boksieri peruan e mposhti serbin në Strasburg dhe në fund bëri shqiponjën dykrenare

Luftëtari peruan Junior “El Matador” Hernandez, që jeton në Bruksel, shkëlqeu të premten më 18 tetor 2025 në eventin ARES FC 35 në Zenith të Strasburgut, duke mposhtur me dominim serbin Luka Lakić.
Vetëm 24 vjeç dhe 1.85 m i gjatë, Hernandez arriti një fitore të fuqishme e të merituar, duke përmirësuar rekordin e tij në 6 fitore dhe vetëm 1 humbje.
Ajo që e bën këtë fitore edhe më të veçantë është fakti se Junior është i përgatitur nga një ekip shqiptar, nën drejtimin e trajnerit të njohur Valon Basha, së bashku me Naim Calën dhe Agon Redzepin, figura të njohura në sportet luftarake evropiane.
Atmosfera në Strasburg ishte elektrizuese — flamuj shqiptarë e kosovarë në çdo cep të arenës, me dhjetëra tifozë që kishin ardhur nga Belgjika, Zvicra dhe Gjermania për ta mbështetur.
Pas fitores, Hernandez bëri gjestin e shqiponjës dykrenare, si shenjë respekti e krenarie për publikun që e mbështeti.
“Asgjë nuk arrihet vetëm. Kjo fitore i përket gjithë ekipit tim,” – deklaroi Hernandez pas ndeshjes, duke falënderuar trajnerin Valon Basha dhe shokun e tij nga Kosova, Leo Timy.
Me këtë sukses, Junior Hernandez po ngjitet shpejt në majat e MMA-së evropiane, duke dëshmuar forcë, disiplinë dhe frymë bashkëpunimi me trajnerët shqiptarë që e kanë udhëhequr drejt fitores.