Lladrovci hap selinë e mëhershme dhe fton për të mbështetur degët ku PDK është në balotazh

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur falënderim të thellë për qytetarët pas përfundimit të zgjedhjeve, duke theksuar se procesi është zhvilluar në mënyrë shembullore dhe demokratike.
“Me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë njerëzore, institucionale e morale, shpreh respektin e thellë dhe falënderimin për çdo qytetar i cili kontribuoi që zgjedhjet në komunën tonë të zhvillohen në mënyrë shembullore”, ka deklaruar ai.
Lladrovci ka njoftuar se në orën 18:00 do të mbahet një koktej simbolik me kandidatët për Kuvend dhe anëtarët e Shtabit zgjedhor “Për Drenasin Kampion”, ndërsa në orën 18:30 do të hapet zyrtarisht selia e Degës së PDK-së në Drenas – vendi i njohur si burim i fitoreve të njëpasnjëshme.
Ai ka theksuar se ky takim nuk është shenjë arrogance, por festë e përbashkët e qytetarëve të Drenasit:
“Ky koktej nuk është përjashtim për ata që mendojnë ndryshe, as demonstrim i arrogancës së fitores. Thjeshtë, është kthim te ambientet nga të cilat kishte dhe do të ketë vetëm fitore, me qytetarin e komunës së Drenasit në qendër dhe vizionin e heronjve tanë të luftës dhe paqes.”
Në fund, Lladrovci ka theksuar se kjo është një fitore e qytetarëve krenarë e me integritet:
“Krenar me qytetarët kampionë të zemrës së Kosovës. Fitorja e qytetarëve të Drenasit, është fitore e madhe! Faleminderit!”