Të shtëna me armë në Komoran/ Policia: Nuk ka të lënduar ndërsa rasti nuk lidhet me zgjedhjet

Të shtëna me armë janë raportuar sot pasdite para qendrës së votimit në fshatin Komoran të Drenasit.

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Një dëshmitar ka thënë se incidenti nuk ka lidhje me procesin zgjedhor, por është pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet dy të rinjve, të cilët fillimisht janë përfshirë në një përleshje fizike, e më pas njëri prej tyre ka shtënë katër herë me armë zjarri.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për mediat se rasti ka ndodhur rreth orës 14:30 në rrugën “Shpëtim Robaj” në Komoran.

“Nuk raportohet për persona të lënduar. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka konstatuar se ka pasur të shtëna me armë dhe raportohet vetëm për dëmtim prone (veturë). Dy persona të përfshirë në rast janë shoqëruar në stacion policor. Aktualisht po punojmë për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat e deritanishme, incidenti nuk lidhet me procesin e zgjedhjeve”, ka deklaruar Ahmeti.

Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar plotësisht motivin dhe rrethanat e rastit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë