Mbështetje masive për Ramiz Lladrovcin në Dobroshec e Godanc – “Vazhdojmë edhe katër!”

Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit dhe kandidat për edhe një mandat, ka zhvilluar një tubim zgjedhor në Dobroshec dhe Godanc, ku morën pjesë një numër i madh qytetarësh. Në këtë takim, së bashku me Donika Prenkun dhe kandidatët e listës “Për Drenasin Kampion”, ai prezantoi disa nga 101 arsyet për të votuar më 12 tetor, duke theksuar se qeverisja e tij është ndërtuar mbi transparencë, llogaridhënie dhe shërbim të qytetarëve.

Lladrovci rikujtoi arritjet në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe fusha të tjera, duke nënvizuar se administrata komunale ka punuar me efikasitet dhe ka fituar respekt e vlerësim nga institucionet vendore e ndërkombëtare. Sipas tij, këto rezultate kanë sjellë mbi 6 milionë euro investime kapitale për komunën.

Ai u shpreh se nuk pret mirënjohje nga “keqbërësit dhe bedelët”, të cilët, sipas tij, shohin Drenasin vetëm si hapësirë për korrupsion e interesa private:
“Ne ua kemi pamundësuar qasjen gjatë qeverisjes sonë me qytetarët, dhe kështu do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm”, tha Lladrovci.

Duke iu përgjigjur shpifjeve e dezinformimeve ndaj qeverisjes së tij, ai shtoi se qytetarët tashmë i njohin autorët e tyre dhe nuk do të lejojnë që fitorja me 101 arsye të ndalet.

“Vazhdojmë edhe katër!”, përfundoi Lladrovci mes duartrokitjeve të fuqishme të qytetarëve.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë