Drenicasi Ilir Seferi me mesazh në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë

Sot, më 3 tetor, Gjermania feston Ditën e Bashkimit – një ngjarje që simbolizon lirinë, unitetin dhe fuqinë e miqësisë. Për shqiptarët në diasporë, kjo ditë ka gjithmonë një kuptim të veçantë: përmes bashkimit dhe përkushtimit mund të arrihen gjërat më të mëdha.

Me këtë rast, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Skenderajt, Ilir Seferi, ka ndarë një mesazh të veçantë, ku theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes Bavarisë dhe Kosovës, shkruan portali DrenicaOnline.
Ai kujtoi takimet e tij me Ministrin-President të Bavarisë, Markus Söder, si dhe shumë akterë të politikës gjermane e evropiane, ku ka ngritur vazhdimisht nevojën e forcimit të bashkëpunimit.
“Bavaria është zemra ekonomike e Gjermanisë, ndërsa Kosova është zemra e Ballkanit. Miqësia jonë është një përparësi e madhe – një urë që lidh potencialin e rinisë sonë me mundësitë që ofron Gjermania”, tha Seferi.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të frymëzohen nga kjo ditë, për të ndërtuar ura bashkëpunimi edhe më të forta në ekonomi, arsim dhe kulturë mes Kosovës dhe Gjermanisë./DrenicaOnline/