‘Drenasi, nyje në fytin e keqbërësve – më 12 Tetor vendoset kush është PDK: kampioni apo bedeli’

Kryetari i Komunës së Drenasit dhe kandidati për një mandat të ri, Ramiz Lladrovci, ka reaguar fuqishëm në lidhje me zhvillimet e fundit në fushatën zgjedhore, duke e cilësuar Drenasin si pikën vendimtare të betejës politike.
Sipas tij, Drenasi është bërë epiqendra e vizitave të pandërprera të krerëve të një partie, të cilët me çdo kusht po përpiqen ta fitojnë këtë betejë, por deri më tani pa asnjë efekt real.
“Fotot e tubimeve të bedelëve flasin vetë – takime të zbehta, me më shumë deputetë e anëtarë kryesie se sa qytetarë, të ngrysur si në mort. Vrulli brutal i keqbërësve deri më sot ka qenë i pafrytshëm”, ka deklaruar Lladrovci.
Ai ka theksuar se vendimet e padrejta brenda PDK-së janë refuzuar nga qytetarët, të cilët, sipas tij, nuk pranojnë që gara në Drenas të reduktohet në “logo me Dadën Razë”.
Në deklaratën e tij, Lladrovci shtroi edhe një pyetje të drejtpërdrejtë: kush është sot kandidati më kontributdhënës për pushtetin lokal dhe për shtetin që nga themelimi i PDK-së e deri më sot? Përgjigjja, sipas tij, është e qartë dhe vjen nga qytetarët, përmes përkrahjes si asnjëherë më parë për iniciativën “Për Drenasin Kampion”.
Ai paralajmëroi se më 12 Tetor qytetarët do të votojnë me sy hapur, duke mos lejuar devijimin e vullnetit përmes manipulimeve e shantazheve të njohura.
“Drenasi është lidhur nyje në fytin e keqbërësve, prandaj fitoren e shohin si shansin e fundit për të shpëtuar karrierën e tyre. Më 12 Tetor do të dihet se kush është PDK: kampioni apo bedeli”, ka deklaruar Lladrovci.