Pllakë përkujtimore për Azem Nikën/ Lladrovci: Krenari familjare dhe kombëtare

Ramiz Lladrovci ka përkujtuar dje në Gllanasellë dëshmorin Azem Daut Nika, duke e quajtur simbol të rezistencës shqiptare. Me rastin e vendosjes së pllakës përkujtimore, ai theksoi se Azemi ishte nip i gjyshit të tij dhe pjesë e lavdisë kombëtare.
Postimi i plotë i LLadrovcit:
Për atdhetarin dhe dëshmorin Azem Daut Nika, në nderim të veprës së tij vendosëm një pllakë përkujtimore në fshatin Gllanasellë, aty ku u lind dhe u formua një nga figurat më të ndritura të rezistencës shqiptare
Ky nuk ishte thjesht një përurim, ishte një moment i thellë nderimi dhe malli për një njeri që dha gjithçka për këtë vend. Për mua ishte edhe më shumë… sepse Azemi është nipi i gjyshit tim, nga gjaku i familjes sonë, një krenari që e mbaj në zemër çdo ditë.
Azemi nuk e zgjodhi rrugën e lehtë. Ai qëndroi, luftoi, dhe ra, jo për vete, por për ne, për brezat që vijnë. E burgosën, e izoluan, por nuk arritën ta thyejnë. Edhe kur nuk i dhanë as një varr të denjë, kujtimi i tij nuk u shua, sepse një popull që nuk harron, nuk humbet kurrë.
Pata nderin të mbaj një fjalë në këtë ceremoni përkujtimore. E ndaj me ju :
Sot, me përulësi dhe nderim të thellë, qëndroj para jush për të kujtuar jetën dhe veprën e një atdhetari dhe dëshmori, që përfaqëson më të mirën që ka dhënë Drenica dhe kombi ynë në rrugën drejt lirisë – Azem Daut Nika. Ai ishte nip i gjyshit tim, një lidhje familjare që më ngarkon me përgjegjësi, por edhe me krenari të thellë për ta kujtuar dhe për ta nderuar siç e meriton.
Lidhja jonë me të nuk është vetëm historike apo institucionale, është edhe personale.
Nëna e tij, Halla Fatë, ishte motra e gjyshit tim, dhe kjo e bën figurën e Azemit pjesë të pandashme të trashëgimisë sonë familjare, por edhe të trashëgimisë kombëtare që ne sot gëzojmë me dinjitet.
Azem Nika u arsimua në vendlindje dhe ndoqi më pas kurse tregtie në Gjakovë, duke u dalluar si një ndër burrat më të përgatitur të kohës në anën tonë. Ai punoi në një kompani të huaj, më pas në administratë dhe u bë i njohur për veprimtarinë e tij ekonomike e shoqërore në Dobroshec dhe më gjerë.
Por mbi të gjitha, ai u shqua për përkushtimin e palëkundur ndaj çështjes kombëtare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, përkrah vëllezërve të tij dhe figurave të mëdha si Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, ai iu bashkua rezistencës kundër okupatorëve.
Pas luftës, ai vazhdoi angazhimin politik në Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare dhe u bë pjesë kyçe e organizimeve që synonin lirinë dhe barazinë e shqiptarëve në Jugosllavi.
Në një kohë të rëndë dhe të pasigurt për çdo shqiptar, Azemi nuk hoqi dorë nga ideali. Ai veproi me guxim të rrallë, duke ndihmuar bashkëveprimtarët e tij me strehim, mbështetje logjistike dhe organizim. Ai ishte njeri i fjalës dhe veprës, një burrë që nuk e ndali rrugën as përballë rrezikut më të madh.
Më 5 nëntor 1953 u arrestua dhe u dënua me nëntë vjet burg të rëndë. Kaloi nëpër burgjet e Pejës, Nishit, e në fund në kampin famëkeq të Goli Otokut, ku më 10 janar 1957, në rrethana mizore dhe çnjerëzore, u vra nga regjimi jugosllav. Trupi i tij nuk iu kthye kurrë familjes.
Por Azemi nuk u harrua. Në vitin 2017, si kryetar i Komunës së Drenasit, pata nderin të ndaj Mirënjohjen komunale për veprën e tij atdhetare. Dhe më 25 shkurt 2019, me vendim zyrtar të Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, Azem Nika u dekorua pas vdekjes me Urdhrin “Hasan Prishtina”,
një dekoratë e lartë shtetërore që i jepet atyre që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e interesit kombëtar dhe veprimtarinë atdhetare.
Po ashtu, një rrugë në fshatin Gllanasellë mban sot me krenari emrin e tij.
Azem Nika është dhe do të mbetet simbol i rezistencës shqiptare, një emër që bart në vetvete krenarinë, guximin dhe përkushtimin për liri. Ai është dëshmia më e pastër se liria e Kosovës u pagua me jetë, me sakrificë dhe me ideale të larta. Ai ishte dhe mbetet pjesë e lavdisë kombëtare.
Lavdi përjetë jetës dhe veprës së Azem Nikës!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit tonë!
Faleminderit!