Blerta Deliu: Retorika përçarëse e Kurtit po dëmton unitetin kombëtar
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar se gjatë gjithë karrierës së tij politike ka ndërtuar një model të bazuar në sulme personale, urrejtje dhe përçarje ndërshqiptare.
Në një deklaratë në Facebook, Deliu theksoi se qasja e Kurtit ka lënë pasoja të rënda në shoqëri, jo vetëm në Kosovë, por edhe te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ku sipas saj, retorika përjashtuese e tij po përçohet me kosto serioze për unitetin kombëtar.
“Së fundmi, ai ka zgjedhur të shpifë personalisht për mua dhe kolegët e mi, duke përhapur një gënjeshtër të rëndë: se gjoja me Ligjin për Amnistinë të vitit 2013 kemi falur kriminelë serbë në veri të vendit”, tha Deliu, duke theksuar se kjo është një akuzë e rreme dhe e fabrikuar nga Lëvizja Vetëvendosje për të mbuluar veprimet e veta.
Ajo rikujtoi se më 16 janar 2023, nga Zyra e Kryeministrit, është bërë një deklaratë ku Oliver Ivanoviq, një person i lidhur me dhunë ndaj shqiptarëve në Mitrovicë, është quajtur “njeri i përkushtuar për komunitetin e tij”, gjë që Deliu e konsideron si një fyerje për viktimat shqiptare.
Deputetja e PDK-së sqaroi gjithashtu se Ligji për Amnistinë i vitit 2013 nuk ka përfshirë krime të rënda si vrasje, lëndime të rënda trupore apo krime lufte, por ka qenë pjesë e një procesi politik për normalizimin e situatës në veri.
Ajo akuzoi qeverinë Kurti për bashkëpunim me struktura të Listës Serbe, përfshirë persona të lidhur me Milan Radoiçiqin, dhe për përjashtimin e veteranëve të UÇK-së nga përfitimet që u takojnë me Ligjin për pagën minimale.
“Albin Kurti mund të sulmojë politikisht këdo që nuk mendon si ai. Por një gjë nuk mund ta bëjë kurrë: nuk mund ta ndryshojë të vërtetën. Dhe e vërteta është kjo: përdorimi i dhimbjes dhe sakrificës së shqiptarëve për përfitime politike është jo vetëm i papranueshëm, por edhe i pafalshëm,” përfundoi Deliu.


