Zhduket 26-vjeçarja nga Negroci, nuk është kthyer në shtëpi që nga dje në ora 3 të mëngjesit

Një rast shqetësues është raportuar në stacionin policor të Drenasit, ku një burrë ka denoncuar zhdukjen e bashkëshortes së tij, e cila është larguar nga shtëpia në orët e para të mëngjesit dhe nuk është kthyer më.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se një i ri (emër i njohur për redaksinë) nga fshati Negrovc, më 19 qershor 2025 rreth orës 14:30, ka paraqitur në polici raportimin për zhdukjen e bashkëshortes së tij, 26-vjeçare.
Sipas dëshmisë së dhënë në polici, ajo kishte dalë nga shtëpia një ditë më parë, më 18 qershor, rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe që atëherë nuk është kthyer, ndërsa familjarët nuk kanë arritur të vendosin asnjë kontakt me të.
Policia ka ndërmarrë të gjitha procedurat për rastin, ndërsa në koordinim me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti “Person i zhdukur”, për të vazhduar më tej me hetime dhe veprime operative në terren.
Gazeta Sinjali inkurajon të gjithë qytetarët që kanë informata të rëndësishme për familjen apo policinë, t’i njoftoj menjëherë autoritetet.