Publikohen pamjet e sulmit me vezë ndaj kryeministrit Kurti në Skënderaj – Reagon Hysni Mehani: “Baruti i tyre është lagur”

Në Skënderaj sot janë publikuar pamjet e një incidenti ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është sulmuar me vezë gjatë një vizite zyrtare. Sulmi ndodhi në të njëjtën ditë kur u përurua çerdhja e re në këtë komunë, investim ky i financuar nga Qeveria e Kosovës.
Lidhur me incidentin ka reaguar Hysni Mehani, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Skënderaj. Ai e ka quajtur lajmin kryesor të ditës përurimin e çerdhes dhe jo sulmin me vezë, të cilin e ka cilësuar si akt të dëshpëruar nga PDK-ja lokale, e udhëhequr nga Sami Lushtaku.
“Lajmi i sotëm është përurimi i çerdhes në Skënderaj dhe punët e mira që po bën Qeveria. 3.2 milionë euro të investuara nga Qeveria e Kosovës në Skënderaj vetëm gjatë këtij mandati”, ka deklaruar Mehani.
Ai shtoi se “sulmet me vezë janë dëshmi që ju ka lagë baruti dhe po ashtu dëshmi e mendësisë primitive që udhëheq me PDK-në në Skënderaj, e fatkeqësisht me krejt PDK-në.”
Mehani ka ftuar mediat që të fokusohen në investimet dhe zhvillimin e qytetit, jo në ngjarjet që, sipas tij, synojnë të prodhojnë vetëm lajme të këqija për Skënderajn.
“Ata që kanë gjuajtur me kallash kur fituan kundër një pasardhësi të Jasharajve, nuk na bëjnë përshtypje kur gjuajnë me vezë. Barutin e kanë lagur. Ide për zhvillimin e qytetit nuk kanë. Pronat për të vjedhur ju kanë harxhuar, po duan të fitojnë vëmendje me skandale,” përfundoi Mehani.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe pritet të pasohen me deklarata të tjera nga akterët politikë në vend.