Blerim Haxhiaj, gazetari që e nderon profesionin

Nga momenti kur në ekranet e RTK-së u shfaq intervista e gazetarit Blerim Haxhiaj me kryeministrin Albin Kurti, nisën edhe reagimet. Por, për fat të keq, jo të gjitha të udhëhequra nga vlerësimi profesional apo objektiviteti.

Nëse e njëjta intervistë do të ishte transmetuar në ndonjë televizion privat – në ndonjë prej atyre që për çdo natë ofrojnë spektakël më shumë sesa informacion – shumë prej zërave kritikë do ta kishin shpallur Blerimin “hero të intervistës”. Por fakti që intervista u zhvillua në RTK, një medium publik që përherë gjykohet më shumë për vendin ku ndodhet sesa për punën që bën, ka bërë që sulmet ndaj gazetarit të marrin formën e linçimit.

Disa nga këto kritika vijnë nga të njëjtët analistë dhe portale që në vazhdimësi e kanë degraduar gazetarinë, që kanë kthyer mikrofonin në armë politike dhe ekranin në pasqyrë të bindjeve të tyre, e jo të interesit publik.

Ata që kanë punuar me Blerimin e dinë mirë: ai është profesionist. Gazetar i përgatitur, paanshëm dhe me integritet. Ka vite që intervistat e tij janë model i qasjes së matur, të drejtpërdrejtë dhe gjithnjë me përkushtim për të nxjerrë nga bashkëbiseduesi më të rëndësishmen për publikun.

Është e padrejtë që një gazetar serioz të gjykohet jo për punën që ka bërë, por për logon e televizionit ku ka punuar. Blerimi nuk është problem i RTK-së – përkundrazi, është vlerë e saj. Dhe sot më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për gazetarë që i qëndrojnë profesionit, jo për linçime që i largojnë ata nga ekrani.

Ndaj, kjo është një thirrje për kolegët gazetarë, për përfaqësuesit e shoqërisë civile, për opinionbërësit me ndërgjegje:
Mos e gjykoni një profesionist të vërtetë. Mos e sulmoni një koleg që e nderon gazetarinë.

Blerimi është një tjetër nivel – dhe këtë e dinë mirë të gjithë ata që e vlerësojnë gazetarinë si profesion, e jo si mjet.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë