Hazrolli Group shënon 20-vjetorin me sukses dhe investime të qëndrueshme në Kosovë

Në ambientet e Parkut të Biznesit në Suharekë, Hazrolli Group shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj: 20 vjet që nga themelimi dhe 5 vjet nga hapja e fabrikës moderne për prodhimin e dyerve, dritareve dhe fasadave strukturore.
Në një ceremoni madhështore ku morën pjesë partnerë ndërkombëtarë, përfaqësues institucionalë, ambasadorë dhe bashkëpunëtorë nga Gjermania, Katari, SHBA, Anglia e vende të tjera, u vlerësua rrugëtimi i suksesshëm i kompanisë që ka krijuar ura mes Kosovës dhe tregut evropian.
Burim Hazrolli, pronar dhe CEO i Hazrolli Group, ndau një rrëfim personal dhe frymëzues për fillimet e tij si 16-vjeçar në Gjermani, sfidat dhe punën e palodhur që u shndërruan në sukses të qëndrueshëm:
“Nuk ishte një rrugë e lehtë, por unë nuk i dua gjërat e lehta. Më pëlqejnë sfidat. Me përkushtim, dashuri për punën dhe vlera familjare, mund të ndërtosh edhe cilësi gjermane nga Kosova. Mund të krijosh një emër që respektohet.”
Ai falënderoi bashkëshorten, vëllezërit dhe gjithë bashkëpunëtorët që kanë qenë pjesë kyçe e këtij rrugëtimi, duke shtuar se suksesi i Hazrolli Group është ndërtuar mbi themelet e besimit, cilësisë dhe vizionit afatgjatë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde, vlerësoi kontributin e Hazrolli Group dhe të diasporës kosovare në zhvillimin ekonomik të dy vendeve:
“Hazrolli nuk është thjesht një kompani gjermane me rrënjë në Kosovë – është shembulli më i mirë i transferimit të njohurive dhe përvojës në vendlindje. Këto investime kontribuojnë për zhvillim të ndërsjellë ekonomik.”
Edhe kryetari i Komunës së Suharekës, z. Bali Muharremaj, theksoi rëndësinë e këtij investimi për ekonominë lokale:
“Përvoja e Hazrolli Group është frymëzim për bizneset tjera që duan ta promovojnë Kosovën dhe t’i japin hov zhvillimit industrial dhe punësimit.”
Fabrika e Hazrolli Group në Suharekë është një nga më të avancuarat në rajon, me teknologji të standardeve gjermane dhe me kapacitet prodhimi deri në 250 dritare brenda 24 orëve. Mbi 90% e prodhimit eksportohet drejt tregut gjerman, duke kontribuar në një model të qëndrueshëm ekonomik dhe punësim për qindra qytetarë.