Sukses i madh për Klubin e Boksit “Drenasi” në turneun ndërkombëtar në Pejë

Klubi i Boksit “Drenasi” ka shënuar një paraqitje të shkëlqyer në turneun ndërkombëtar të organizuar në Pejë nga Klubi i Boksit “Fighter Pejë”, duke u kthyer në shtëpi me tri fitore nga po aq ndeshje.

Në këtë ngjarje sportive, “Drenasi” mori pjesë me tre boksierë të talentuar, të cilët dhanë maksimumin dhe dëshmuan nivel të lartë përgatitjeje, transmeton portali DrenicaOnline.

Luan Morina, që garoi në kategorinë deri në 80 kilogramë, zhvilloi një ndeshje të fuqishme kundër boksierit vendas, Ervin Shabani, duke dalë fitimtar me meritë.

Ndërkohë, në kategorinë deri në 60 kilogramë, boksieri tjetër nga Drenasi, dominoi ndaj kundërshtarit të tij nga Klubi “F. Kosova”.

Fitore të rëndësishme shënoi edhe Diart Gorani në kategorinë 54 kilogramë, duke mposhtur boksierin nga Mali i Zi me paraqitje të vendosur dhe teknikisht të rafinuar.

Ky turne dëshmoi edhe një herë potencialin dhe përkushtimin që ekziston në radhët e Klubit të Boksit “Drenasi”, si dhe rezultatet pozitive që po arrihen falë punës së vazhdueshme të trajnerëve dhe përkushtimit të sportistëve.

Klubi falënderon organizatorët e turneut për mikpritjen dhe për një garë të nivelit të lartë ndërkombëtar, dhe njëkohësisht u uron suksese të gjithë boksierëve që përfaqësuan me dinjitet Drenasin./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë