Gruaja nga Drenica lind foshnjën në autoambulancë falë ekipit të emergjencës

Një ngjarje e jashtëzakonshme ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Skenderaj, ku një grua 27-vjeçare ka sjellë në jetë fëmijën e saj në autoambulancë, gjatë rrugës për në maternitetin e Spitalit Rajonal të Mitrovicës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:20 pas mesnate, kur pacientja ishte paraqitur me dhimbje të mëdha lindjeje në repartin e emergjencës të QKMF-së në Skenderaj. Pas vlerësimit të gjendjes së saj, mjekët kishin vendosur ta dërgojnë menjëherë në spitalin rajonal.
Por gjatë transportit, gruaja ka hyrë në fazën aktive të lindjes. Falë profesionalizmit dhe përkushtimit të infermierëve të emergjencës, Arxhend Ahmeti dhe Qendrim Selimi, foshnja ka lindur me sukses brenda në autoambulancë. Bebja, e gjinisë mashkullore, ka ardhur në jetë shëndoshë e mirë.
Një ndihmë të madhe në këtë moment vendimtar ka dhënë edhe shoferi i autoambulancës, Xhevdet Voça, i cili me përkujdesje dhe qetësi ka krijuar kushtet optimale për zhvillimin e sigurt të lindjes gjatë rrugës.
Ngjarje të tilla janë dëshmi e profesionalizmit dhe humanizmit të punonjësve shëndetësorë në vendin tonë. Familja e re nga Skenderaj sot ka arsye të madhe për të festuar./Rajoni.org/