Kostot e larta të energjisë “ngrin” prodhimin në Ferronikel, kompania flet për fatin e punëtorëve

Kompania “NewCo Ferronikeli” ka njoftuar të mërkurën, më 9 prill 2025, se do të ndërpresë përkohësisht të gjitha aktivitetet prodhuese deri në fund të këtij viti.

Ky vendim vjen si pasojë e krizës së zgjatur ekonomike në industrinë e metaleve dhe kostove të larta të energjisë, që kanë rënduar seriozisht kapacitetet financiare të kompanisë, shkruan IndeksOnline.

Në një përgjigje për IndeksOnline, menaxhmenti i Ferronikelit ka vendosur që, duke filluar nga data 16 prill 2025, të fiket plotësisht furra elektrike, një ndër komponentët kyç të prodhimit dhe të reduktohet orari i punës për një numër të caktuar punëtorësh.

Ky vendim, siç thekson kompania, është marrë me shumë kujdes dhe vetëm pas analizave të gjata financiare dhe teknike.

“Kjo masë është e diktuar nga faktorë të rëndë ekonomikë: çmimet e larta dhe të paqëndrueshme të energjisë elektrike në tregun e hapur, si dhe çmimet e ulëta dhe të paqëndrueshme të nikelit në bursat ndërkombëtare. Këta faktorë kanë krijuar vështirësi serioze për kompaninë tonë gjatë 17 muajve të fundit”, thuhet në deklaratën e “NewCo Ferronikeli”, për IndeksOnline.

Kompania bën të ditur se, pavarësisht këtyre sfidave, nuk është larguar asnjë punëtor nga puna.

“Theksojmë se asnjë punëtor nuk ka humbur vendin e punës. Megjithatë, racionalizimi i shpenzimeve është bërë i domosdoshëm, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar të kompanisë dhe mbrojtjen e së ardhmes së saj,” ka thënë kompania

“NewCo Ferronikeli” gjithashtu ka bërë të ditur se po ndjek nga afër zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të metaleve dhe energjisë elektrike, me synimin për t’u rikthyer në prodhim sapo të krijohen kushtet për një operim të qëndrueshëm dhe ekonomikisht të pranueshëm.

Ky nuk është rasti i parë kur Ferronikeli përballet me vështirësi të këtij niveli. Ndër vite, krizat në tregjet ndërkombëtare të metaleve, bashkë me pasigurinë energjetike në vend, kanë shkaktuar ndalesa të përsëritura të prodhimit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë