Ramadan Nishori nga Drenasi bën histori me rrëfimin e tij të dhunimit: Turpi është i atyre (Video)

Ramadan Nishori shënoi moment historik, duke u bërë burri i parë që rrëfeu përjetimin e dhunimit seksual në luftën e fundit në Kosovë. Për nder të Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës, ai ka rrëfyer ngjarjen që i ka ndodhur kur ka qenë 22-vjeçar, nga dy polic serb në stacionin e policisë në Drenas.

‘Turpi nuk është i yni, por i atyre’, Nishori me mesazh për shoqërinë

“Sot diku është duke na parë një i mbijetuar tjetër. E di me çfarë sfidash është duke kaluar ai. Unë i them atij se ka shpresë dhe të mos dorëzohet kurrë. Ju them atyre se turpi nuk është i yni, turpi është i atyre”, ka thënë Nishori.

“Do t’ju bëjë thirrje gjithë shoqërisë, familjarëve të të mbijetuarve, të na përkrahin sado pak se përkrahja e tyre është çlirim. Përkrahja e familjarëve ta heq një barrë të madhe dhe të kthen përsëri në jetë”, ka dhënë porosi Nishori, burri i parë që rrëfeu përjetimin e dhunimit nga lufta e fundit në Kosovë.

Nishori: Jam këtu të mos mbetem rob i së kaluarës

“Dy policë me uniforma më kanë kap, më kanë zvarritur dhe më kanë futur në një tualet. Aty ka ndodhur më e keqja që mund t’i ndodh një njeriu. Kurrë nuk do të mund ta mendoja që do të më ndodhte mua. Njëri më dhunoi. Duke u përgatitur i dyti për dhunë, nga britmat e mia ai shqiptari që ishte aty afër, i ka rënë derës ka hyrë brenda dhe më ka nxjerrë jashtë”, rrëfen ai, duke treguar se si një përkthyes shqiptar e nxori nga vendi i dhunimit.

“Më kanë vendosur pastaj në zyrën ku na merrnin në pyetje, por atë ditë më s’më morën në pyetje. Policët civil nisën të më kërcënojnë, ‘këtë çfarë të ka ndodhur ty, nuk guxon t’ia tregosh askujt”, ka treguar detajisht Nishori.

“Për mua në atë kohë, vdekja ishte paqe”, tha ai.

“Jam këtu që të mos mbetem rob i së kaluarës”, ka potencuar Nishori.
Ai ka thënë se ka qëndruar 3 muaj në burgun e Prishtinës, për të pasuar me përjetime të maltretimeve edhe në burgun e Lipjanit. Nishori i ka mbijetuar edhe masakrës në burgun e Dubravës.

“Nuk dua njerëzit të më shohin me keqardhje, por me respekt si një njeri që ka luftuar”

“Unë sot dua që njerëzit të më shohin si një njeri që kam kaluar nëpër shumë gjëra, jam munduar shumë. Por nuk jam thyer kurrë. Nuk dua që njerëzit të më shohin me keqardhje për dhunën që kam përjetuar, por me respekt si një njeri që ka luftuar shumë për të mbijetuar”, ka thënë ai.

“Pasi u martova i thashë vetes ‘do ta lë të kaluarën prapa dhe të filloj një jetë të re’. Por kjo ishte e pamundur sepse çdo natë më kujtohej ajo çfarë ka ndodhur. Jetoja me frikë se mos po e dallonte ndokush rastin që më kishte ndodhur. Pas një viti me bashkëshorten dhe vajzën e vogël, Fluturën, me qera në Fushë Kosovë u ndjeva pak më i lirë por prapë isha i mbyllur në burgun përbrenda. Boll mundohesha t’i thosha vetes që ka qenë luftë, por prapë e pamundur”, ka thënë Nishori, për përjetimet pas dhunimit.

Burri i mbijetuar i dhunës seksuale rrëfehet publikisht për herë të parë

Për nder të Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës, një burrë për herë të parë në mënyrë historike, ka bërë publike rrëfimin e tij si i mbijetuar i dhunës seksuale.

Ai ka shpalosur rrëfimin e tij në organizimin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, duke u bërë burri i parë që del në mënyrë publike me ngjarjen që ia kanë shkaktuar forcat serbe.

“Kur themi ‘zëri im është forca ime’ ne po e njohim dhe vlerësojmë guximin për të folur. Poashtu po i japim zë të gjithë atyre që nuk kanë mundur të flasin. Ky nuk është një hap veç i një të mbijetuari, por hap përpara për gjithë shoqërinë tonë drejt dhembshurisë, drejtësisë dhe daljes së të vërtetës në pah”, ka thënë Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së.

Rushiti ka thënë se pas 26 vjetëve mund të përpjekjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale, tashmë pas 22 vjetëve është një rast i konfirmuar nga Gjykata Supreme, mbi 10 aktakuza të ngritura, ndërkaq fëmijët e të mbijetuarve marrin shërbime ndihmuese.

Rrugën e tij të publikimit të rrëfimit të dhunimit e ka nisur për herë të parë Vasfije Krasniqi – Goodman, për t’u shoqëruar më vonë edhe nga Shyhrete Tahiri – Sulejmani.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë