“Çeliku” mes tre portave: AAK e mbylli, PDK nuk e hapi, VV po pret

EDITORIAL nga DrenicaOnline
Marrëveshja për koalicionin parazgjedhor mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate u kurorëzua më 9 shkurt, pikërisht ditën kur u votua në zgjedhje. Për shumëkënd, ishte një lëvizje taktike që i siguroi AAK-së mbijetesën politike – sepse pa Nismën në krah, Ramush Haradinaj me gjasë nuk do ta kalonte pragun zgjedhor.
Nga ky koalicion, dolën tetë deputetë: pesë për AAK-në dhe tre për Nismën. Ishte ndihma vendimtare e Fatmir Limajt që siguroi këtë rezultat, një ndihmë që sot po shpërblehet jo me falënderim, por me përbuzje të heshtur.
Tani që vendi ndodhet në prag të ndërtimit të institucioneve të reja, Nisma e Limajt po ndjek interesin e vet politik – dhe ka të drejtë. Sepse në politikë, përtej emocioneve e afërsive të përkohshme, mbijetesa është prioritet.
Për të kuptuar më mirë pozicionin e tanishëm të Limajt, duhet të kujtojmë një moment kyç nga e kaluara jo shumë e largët: Ramush Haradinaj, dikur aleat, i mori Nismës deputetin Haxhi Shala, duke e lënë këtë subjekt pa grup parlamentar në Kuvend. Ky gjest nuk harrohet lehtë dhe as nuk falet politikisht.
Fatmir Limaj e ka pasur dëshirën t’i bashkohet PDK-së, por kjo e fundit ia ka mbyllur derën. Në këtë rrethana, nëse Albin Kurti vendos ta thërrasë për bashkëqeverisje, Limaj jo vetëm që duhet të ulet në tavolinë, por duhet të negociojë me maturi dhe vizion të qartë.
Sepse nëse vendi shkon në zgjedhje, pyetja që shtrohet është: me kë do të shkojë Nisma? Haradinaj veç e ka përjashtuar publikisht Limajn, duke deklaruar se nuk ka marrëdhënie me të që nga një intervistë e dhënë pas zgjedhjeve.
Nëse bashkëpunimi me Vetëvendosjen ndodh në qeveri dhe më pas shndërrohet në një listë të përbashkët zgjedhore, atëherë Limaj del fitues. Jo vetëm se siguron përfaqësim të denjë për partinë e tij, por edhe sepse arrin ta kapitalizojë momentumin politik përmes pozicionit të balancës që Nisma po e luan me mjeshtri.
Në fund të ditës, nuk ka miqësi të përhershme në politikë – vetëm interesa të përhershme.