PDK regjistron grupin parlamentar – Kryetari Memli Krasniqi: Kosova ka nevojë për institucione të reja demokratike dhe funksionale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë një deklarate për media me rastin e regjistrimit të grupit parlamentar të PDK-së në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, theksoi nevojën për formimin e institucioneve të reja, funksionale dhe demokratike në vend.
“PDK-ja do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe parimet demokratike”, deklaroi Krasniqi, duke shtuar se Kosova ka nevojë për një qeveri që u shërben qytetarëve dhe adreson sfidat si kostoja e lartë e jetesës, zhvillimi ekonomik dhe integrimi euroatlantik.
Kryetari i PDK-së bëri të ditur se kanë pasur komunikime me të gjitha partitë parlamentare, përveç partive të koalicionit fitues në zgjedhjet e 9 shkurtit – VV, Guxo dhe Alternativa.
“Nëse partia që ka dalë e para në zgjedhje nuk arrin ta formojë shumicën e nevojshme, PDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj në formimin e Qeverisë së re, me Bedri Hamzën në krye të ekzekutivit”, u shpreh ai.
Krasniqi theksoi se PDK-ja ka objektiva të qarta për zhvillimin ekonomik, rikuperimin dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, si dhe avancimin e integrimit euroatlantik.
“PDK-ja ka kapacitetin dhe vizionin për ta çuar Kosovën përpara”, përfundoi ai.